SHKOLLA TË NDIHMON TË BËSH NJË JETË MË TË MIRË!
G.C është një i ri nga qyteti i Elbasanit, të cilit jeta nuk i ka buzëqeshur, por e ka vënë përballë provash shumë të vështira qysh herët kur ai ishte ende një fëmijë. I lindur nga një lidhje jashtëmartesore, G.C në moshën 10 vjeç u nda përgjithnjë me të jatin që ndërroi jetë. E ëma zgjodhi rrugën e emigrimit, duke marrë me vete fëmijën e saj, por që nuk mund të rrinin dot bashkë për shumë kohë. Në këto kushte G. C kthehet në Shqipëri, për të jetuar me gjyshërit, të cilët p¨rkujdeseshin gjithashtu edhe për vëllanë e tij të sëmurë. Për G.C kështu nisi jeta si burrë i shtëpisë, për t’i shërbyer vëllait të sëmurë, por edhe për t’u kujdesur për familjen, pasi gjyshi i tij ishte i alkolizuar.
Në këtë periudhë të jetës së tij shumë të vështirë, G. C u identifikua nga mësuesit dhe punonjësit sociale të projektit “Arsim Alternativ dhe Formim Profesional”, që zbatohej nga Fondacioni “Ndihmë për Fëmijët” në Elbasan.
Ai u sistemua në klasat e administruara nga ky projekt në shkollen 8-vjeçare publike “Sul Misiri”, ku ndoqi studimet për 8 vjet radhazi. G.C ishte një fëmjë i zgjuar dhe shumë i shkathët, duke u dalluar mbi bashkëmoshatarët e tij. Këto ishin edhe avantazhet që i dhanë atij mundësinë që të ndiqte shkollën, por njëkohësisht edhe të punonte, për t’I ardhur në ndihmë familjes. Në çdo hap që bënte G.C mbështetej dhe këshillohej nga mësuesit dhe punonjësit sociale të projektit, të cilët e ndihmuan G.C të besonte se vetëm shkollimi dhe mësimi i një zanati do ta çlironte nga varfëria dhe të krijonte një të ardhme më të mirë.
Me shumë vullnet ai ndoqi praktikën profesionale në një repart duralumini dhe në pak kohë ai arriti të perfeksiononte një zanat, që më pas do të bej puna e tij. Sjellja shumë e mirë dhe përkushtimi i tij në punë bënë që në një kohë shumë të shkurtër ai të punësohej në këtë repart. Ai fitoi jo vetëm një profesion, por edhe aftësinë për të menaxhuar jetën e tij dhe të familjarëve, në mënyrë dinjitoze, edhe pse fati i solli një goditje tjeter, humbjen e parakohshme të nënës së tij.
Tani pas shumë vitesh, G.C viziton shpesh shkollën ku mësoi, ruan lidhjet me mësuesit e tij, duke ruajtur respect të thellë për ta. Kur është i pranishëm në aktivitete edukative të shkollës, asnjëherë nuk harron t’u thotë fëmijëve: “Shkolla të ndihmon të bësh një jetë me të mirë….”