Parimet e Punës

“Ndërtojmë mbi arritjet” është çelësi strategjik drejt konsolidimit dhe impaktit në sistem të të gjitha aktiviteteve të NPF-së, me qellim krijimin e ndryshimeve të qëndrueshme në jetën e fëmijëve në nevojë, familjeve dhe komuniteteve si dhe ndikimin në vendimmarrjen e qeverisë shqiptare për të marrë përsipër shërbime adekuate të vazhdueshme për këto kategori të popullsisë.

“Asgjë për njerëzit në nevojë pa pjesëmarrjen e tyre” – është slogani që udhëheq aktivitetet e NPF-së, me qëllim mbështetjen e individëve dhe grupeve në nevojë për t’u aftësuar që të ndihmojnë dhe përmirësojnë jetën e tyre dhe të jenë pronarë të zhvillimit të vetes së tyre. Kjo arrihet përmes pjesëmarrjes së tyre në: (a)Bordin e Drejtorëve të NPF, (b)komitetet drejtuese të projekteve, (c)bordet këshilluese lokale të projekteve, (d)zbatimin e aktiviteteve të projekteve, (e)si interlokutorë me autoritetet e pushtetit qëndror dhe lokal.

“Lidhje me strategjitë e Qeverisë Shqiptare”, siç është Strategjia për përmiresimin e kushteve të jetesës së Romëve; Strategjia e përfshirjes sociale; Strategjia kombëtare për arsimin; Strategjia kundër trafikimit të qënieve njerëzore dhe planet e veprimit respektive. Lidhjet me këto strategji do të mundësojnë ankorimin e veprimeve në sistemin shtetëror dhe do të kontribuojnë në mënyrë direkte për zbatimin e planeve të veprimit.

“Sinergjitë ndihmojnë për një ndryshim të vërtetë” është thelbësore në metodologjinë e ndërhyrjes së NPF-së. NPF është e hapur dhe kërkon të vendosë partneritete me aktorë dhe grupe të interesuara të fushës së veprimtarisë së fondacionit. Është anëtare e koalicionit BKTF (Bashkë Kundër Trafikimit të Fëmijëve) dhe bashkëpunon me iniciativa të tjera lokale/kombëtare/ndërkombëtare/të qeverisë. Për më tepër, ndarja e ekspertizës dhe eksperiencës do të rritet më tej përmes zhvillimit të kontakteve me organizata dhe institucione të tjera të ngjashme në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Përfshirja gjinore” është dhe do të integrohet në të gjitha aktivitetet e projekteve, duke u përqendruar veçanërisht në ngritjen e kapaciteteve të vajzave dhe grave në nevojë si dhe në mundësitë për punësim, inkurajimin e vajzave për t’u arsimuar dhe lehtësimin e aksesit në kurset e formimit profesional.

“Përqasja e bazuar mbi të drejtat e njeriut” është dhe do të jetë boshti i aktiviteteve të NPF me qëllim luftën kundër diskriminimit.