Histori të suksesshme në Korçë

KA GJITHNJË NJË MOMENT KUR JETA TË BUZËQESH

Historia e M dhe L është shumë e mbushur me momente të trishtueshme dhe shumë të dhimbshme. Të lindur në një familje ku prindërit nuk i ofronin mundësinë më minimale të jetesës, M dhe L kanë përjetuar një fëmijëri pa lodra e gëzime, duke derdhur lot për çdo fatkeqësi që jeta i kishte rezervuar.

Pas divorcit të prindërve fëmijët u transferuan në qytetin e Korçës, pranë gjyshit nga nëna, por edhe këtu nuk gjetën ditë të bardha. Në shumë pak kohë ata humbasin nënën dhe gjyshin e tyre, të dy të sëmurë, duke mbetur në mes të katër rrugëve. Për një peridhë të shkurtër kohe të dy fëmijët u strehuan dhe u ushqyen nga motrat katolike Merry Poter. Deri në moshën 10 vjeç për fëmijët u kujdesën motrat Merry Poter dhe Fondacioni Terre des Hommes të cilët nxitën edhe mundësinë e vendosjes së tyre në një familje kujdestare.

Ndërsa djali kishte mbaruar shkollën fillore dhe punonte në një magazinë, vajza ishte krejtësisht e paarsimuar, pavarësisht dëshirës së saj. Në vitin 1998 vajza L kaloi nën kujdestarinë e fondacionit Ndihmë për Fëmijët, ku filloi të marrë mësimet e para në klasat CEFA dhe kurset për formim profesional. L ishte një vazjë shumë e zgjuar dhe falë edhe një mbështetje shumë të mirë nga mësuesit dhe punonjësit socialë të projektit CEFA u trajnua në kursin profesional të rrobaqepsisë. Shumë shpejt ajo e përvetësoi profesionin, duke i bërë shumë krenarë edhe vetë mësuesit e saj.

Ndërsa vitet kalonin vajza mendonte për të ardhmen dhe ndërtimin e një familje. Dhe me konsultimin dhe mbështetjen e mësuesve dhe punonjësve socialë ajo realizoi edhe lidhjen e saj të martesës, pas së cilës kanë dalë në jetë edhe dy fëmijë të mrekullueshëm. Fondacioni NPF i depozitoi në një librezë të veçantë të gjitha kursimet që ajo kishte përfituar në vitet e frekuentimit të aktiviteteve në projektin CEFA.

L jeton bashkë me familjen e saj në Greqi, ku ajo punon si rrobaqepëse, por asnjeherë nuk i harron mësuesit e saj, që e kthyen në jetë dhe e ndihmuan të krijojë një jetë të lumtur dhe plot gëzime, me bashkëshortin dhe fëmijët e saj.