Programi-Askush-te-mos-mbetet-pas-LNB-–-Faza-II-b

Programi “Askush të mos mbetet pas” (LNB) – Faza II

Projekti “Shërbimet e integruara sociale për zhvillimin e qëndrueshëm social dhe ekonomik të komuniteteve në nevojë”.

“Askush të mos mbetet pas” Faza II (2020-2025) është një Program i Përbashkët i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UN) që synon (qëllimi zhvillimor) të sjellë ndryshime sistemike në fushën e mbrojtjes sociale dhe përfshirjes sociale në Shqipëri nëpërmjet ofrimit të shërbimeve sociale të integruara cilësore (mbrojtje sociale, kujdes social, shëndetësi, arsim, punësim, formim profesional, dhe strehim), me theks të veçantë në shërbimet sociale që u ofrohen njerëzve në nevojë dhe grupeve në nevojë, gjë që siguron në mënyrë progresive realizimin e të drejtave themelore të njeriut, të drejtat ligjore, mirëqenien, dinjitetin dhe mjetet e jetesës për të gjithë dhe rrjedhimisht përfshirjen sociale.

LNB – faza II do të zbatohet mbi arritjet e fazës së parë dhe do të udhëhiqet nga prioritetet afatmesme dhe afatgjata të qeverisë shqiptare dhe partnerëve vendorë.

Zbatimi i programit është përgjegjësi e katër agjencive të OKB-së UNDP, UNICEF, UN Women dhe UNFPA, dhe financohet nga Zyra e Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Zviceran (SDC).

Ai kontribuon në arritjen e qëllimeve të “Kuadrit të Bashkëpunimit për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Qeverisë së Shqipërisë dhe Kombeve të Bshkuara (UNSDCF) 2022-2026: Rezultati A – “Deri në vitin 2026 ka rritje të investimeve më të drejta tek njerëzit, duke hequr barrierat dhe duke krijuar mundësi për ata që janë në rrezik përjashtimi“.

Projekti “Shërbimet e integruara sociale për zhvillimin e qëndrueshëm social dhe ekonomik të komuniteteve vulnerabël” – Faza II, është pjesë përbërëse e Programit LNB.

Ai zbatohet nga Fondacioni “Ndihmë për Fëmijët” (NPF) nën menaxhimin dhe mbikëqyrjen e përgjithshme të UNDP-së.

Një përmbledhje e shkurtër

Periudha e zbatimit: Janar 2022 – Korrik 2025 (43 muaj).

Mbulimi gjeografik: Bashkia Tiranë (Njësitë Administrative Nr. 4 dhe 8 në Qendrën Komunitare “Gonxhe Bojaxhi”), Durrës, (në Njësinë Administrative Sukth), Lushnjë dhe Divjakë (në Njësitë Administrative Tërbuf dhe Grabjan).

Qëllimi i përgjithshëm i projektit: Krijimi i shërbimeve sociale të integruara dhe fuqizimi i komuniteteve në nevojë dhe të margjinalizuara për të aksesuar dhe për të marrë shërbime të kujdesit social në 4 bashki deri në vitin 2025.

Objektivi 1: 600 familje vulnerabël (3500 individë) në 4 bashki marrin nga pushteti i tyre vendor shërbime sociale të integruara që synojnë edukimin cilësor të fëmijëve, fuqizimin social dhe ekonomik të familjeve dhe zhvillimin dhe pjesëmarrjen e komunitetit bazuar në nevojat e tyre specifike.

Objektivi 2: 4 Bashkive u mundësohet të krijojnë dhe/ose përmirësojnë planifikimin, menaxhimin, ofrimin dhe monitorimin e shërbimeve sociale të integruara të qëndrueshme dhe inovative dhe të lehtësojnë ngritjen e Njësive të Vlerësimit të Nevojave dhe Referimit (NjVNR).

Grupet e synuara: Komunitete vulnerabël me nevoja komplekse dhe afatgjata: komunitetet rome dhe egjiptiane, të rinjtë në fshat dhe në nevojë, familjet në situatë të vështirë ekonomike, gratë kryefamiljare, familjet brenda skemës së ndihmës ekonomike, punëtorët informalë dhe migrantët potencialë e të kthyer) në katër bashki.

Qasja e ndërhyrjes: (a) Marrja në konsideratë e realitetit të shkaktuar nga COVID-19 dhe faktorë të tjerë kontekstualë në sistemin e përgjithshëm të shërbimeve të kujdesit social në Shqipëri, (b) të jetë në përputhje me Planet Sociale Lokale, reformën e shërbimeve të kujdesit social, Strategjinë e Mbrojtjes Sociale 2019-2023 dhe të gjitha politikat, ligjet dhe planet e veprimit përkatës; (c) të zbatojë mënyrën bashkëpunuese të punës, (d) përdorimin e sistemeve të vendit, (e) ndërtimin e kapaciteteve dhe ekspertizës, (f) të zbatojë integrimin gjinor (g) të sigurojë ofrimin e shërbimeve sociale të integruara duke siguruar pronësinë dhe qëndrueshmërinë e modelit të shërbimeve në bashki (h) të zbatojë qasjen e bazuar në të drejtat e njeriut (i) të sigurojë sinergji dhe koordinim me nismat e ngjashme kombëtare dhe lokale.

Partnerët e Projektit: 4 Bashki (Tiranë, Durrës, Lushnjë dhe Divjakë) dhe 5 Njësi Administrative (Nr 4 dhe 8 në Tiranë; Sukth në Durrës; Tërbuf dhe Grabjan në Divjakë), Zyrat Rajonale Arsimore dhe shkollat 9-vjeçare, Zyrat e Punësimit,  Agjencia Kombëtare e Kualifikimeve dhe Formimit Profesional, Strukturat publike të Shëndetësisë dhe Strehimit, Departamenti i Punës Sociale në Universitetin Publik të Tiranës, partnerë biznesi, media dhe OJF.

Ofrimi i shërbimeve sociale: Në secilën prej bashkive, projekti do të ngrejë modelin e shërbimeve sociale të integruara për familjen, i cili synon fuqizimin e familjeve për të thyer rrethin vicioz të varfërisë. Punonjësit socialë të bashkisë do të angazhohen në ofrimin e shërbimeve duke synuar nevojat e familjes në tërësi dhe duke marrë parasysh dhe adresuar nevojat specifike, komplekse dhe afatgjata të secilit prej anëtarëve të familjes. Bashkitë do të krijojnë modelin e ri të ofrimit të shërbimeve sociale të integruara brenda bashkisë dhe do të forcojnë kapacitetet dhe ekspertizën e tyre për të ofruar, mbështetur dhe zgjeruar këtë model.

Add a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *